Errët
Ndritshëm

Mori 3 mijë euro borxh, u detyrua të kthejë 18 mijë më tepër, ngritet aktakuzë në Prizren

12.05.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.Sh. për fajde.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, D.Sh. akuzohet edhe për vepra të tjera penale, si “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

I dëmtuari kishte marrë 3 mijë euro nga i akuzuari, ndërsa ia kishte kthyer rreth 18.000 euro.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri më datë 07.11.2024, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K.”, thuhet në njoftim.

Paratë i dëmtuari i mori për shkak se biznesi po i falimentonte.

Në atë mënyrë që, pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin, të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon te i pandehuri, me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro). Me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”, thuhet në njoftim.

Më vonë, për shuma të tjera, i akuzuari kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep më datë 07.11.2024, me ç’rast D.Sh arrestohet në flagrancë pasi merr paratë.

“Për shumën e të hollave në vlerë prej 7.000 € (shtatëmijë euro), kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep më datë 07.11.2024. Me ç’rast i pandehuri, me paratë e marra, arrestohet në flagrancë.

Me këtë veprim, i dëmtuari, përveç borxhit bazë te i pandehuri, ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 € (tetëmbëdhjetë mijë euro), me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktohet dëm material në vlerën e lartcekur”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i pandehuri tjetër, A.Sh., dyshohet se kishte frikësuar të dëmtuarit F.K. dhe F.K. më datë 06.12.2024, në Prizren.

“I pandehuri A.Sh., më datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K. dhe F.K. – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur.

Në atë mënyrë që, i pandehuri, duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K. është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë te i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheqë deklaratën e tij në Prokurori, përmes aplikacionit “WhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K. (të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime te i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjes.

Me këto veprime, i pandehuri A.Sh. ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.

Errët
Ndritshëm