Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.
“Avokati i Popullit thekson se vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Mungesa e koordinimit institucional dhe momenti i boshllëkut institucional kur u mor ky vendim, sipas Avokatit të Popullit, ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët.
Qeveria duhet të garantojë për interesin publik, sipas këtij institucioni.
“Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike”, thuhet në njoftimin për medie.
Avokati i Popullit thekson nevojën që organet e pavarura, si ZRrE, duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe.
Kjo kërkesë e Avokatit të Popullit vjen pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë mori vendim për shtrenjtimin e energjisë për 16.1% më 16 prill 2025.