Sipas Institutit GAP, 359 mijë kosovarë kanë lëshuar vendin deri në vitin 2023. Kjo shifër përfaqëson rreth 22.6% të popullsisë së vendit.
Gjetjet e raportit të ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive” tregojnë se të kthyer, si dhe shtetas të huaj që jetojnë në Kosovë, janë 99 mijë.
Një pjesë e personave të cilët po emigrojnë nga Kosova janë nga fuqia punëtore aktive, çka po ndikon në rritjen e kërkesës në vend për punëtorë vendas dhe të huaj.
“Sektorët më të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtaria, tregtia me shumicë dhe pakicë, gastronomia dhe hoteleria, dhe prodhimi, nga të cilët edhe prirja për të emigruar është më e lartë”, thuhet në raport.
Ekonomisti Astrit Sopi, bëri një kalkulim për të sqaruar se çka do të thotë për vendin ikja e 359 mijë kosovarëve.
“Në një kalkulim të thjeshtë, 360,000 qytetarë, ku supozojmë se konsumi i tyre ditor është rreth 5 euro (ushqim, pije etj.), atëherë i bie që 360,000 x 5 EUR = 1,800,000 EUR në ditë më pak konsum. Pra, kërkesa agregate do të pësojë rënie dhe rrjedhimisht prodhimi vendor, edhe ashtu i pakët, do të bjerë edhe më tutje”, thotë Sopi.
Ndërsa nëse e kalkulojmë për një vit sipas ekonomistit Sopi i bije që konsumi të jetë për 657 milion euro më i ulët.
Ndikim negativ në ekonominë e vendit do të kenë edhe remitencat që do të i dërgojnë ata që emigruan.
“Personat që dalin jashtë vendit do të fillojnë të dërgojnë familjes para për mbijetesë, gjë që do të rrisë remitencat, mirëpo pjesa më e madhe e tyre do të shkojë për konsum (import), por jo edhe për prodhimet vendore”, u shpreh ai.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, në vitin 2024, lëshoi gjithsej 8,293 leje pune për shtetas të huaj, mirëpo mbi gjysma e lejeve të punës janë vazhdimësi e viteve paraprake.
Si rrjedhojë, bilanci i emigrimit mbetet shumë më i lartë se i imigrimit dhe punëtorët e huaj nuk e mbulojnë mungesën e krijuar në tregun e punës.
Raporti si zgjidhje më të qëndrueshme për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë e sheh rritjen e përfshirjes në treg të personave që i takojnë moshës së punës por që aktualisht nuk janë të punësuar apo duke kërkuar punë.