Errët
Ndritshëm

Përmbyllet gara “Ushtari më i mirë 2025”, FSK shpall më të mirët

25.04.2025

Është përmbyllur sot në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj gara “Ushtari më i mirë 2025”, ku u shpallën rezultatet e aktivitetit të zhvilluar nga data 21 deri më 25 prill 2025, me pjesëmarrjen e 44 konkurrentëve – 23 prej tyre pjesëmarrës ndërkombëtarë dhe 21 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vendin e parë e fitoi E4 Jan Vajncer nga Republika e Kroacisë, i cili njëherësh u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2025”. Pas tij u rendit Ushtar Hil Mala nga Republika e Shqipërisë, ndërsa vendi i tretë i takoi SSG Lucas Peterson nga Garda Kombëtare e Ajovas në ShBA.

Sipas njoftimit të FSK-së, vendi i parë për garuesit nga FSK i takoi OR2 Endrit Shatrolli nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë (R1K), i cili njëherësh u shpall “Ushtari më i mirë 2025” nga FSK-ja. I dyti u radhit OR2 Arbnor Istrefi (R3K), ndërsa vendi i tretë i takoi OR3 Aurent Hodaj nga (R2K).

Në garën “Ushtari më i mirë 2025” morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Pjesëmarrësit garuan në këto disiplina: test fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.


Gara “Ushtari më i mirë 2025” është organizuar nga rreshter majorët e komandave dhe njësive të FSK-së, nën drejtimin e rreshter majorit të Komandantit të FSK-së, Bedri Zuka.

Errët
Ndritshëm