Errët
Ndritshëm

Malajzia lejon udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë

25.04.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se shteti i Malajzisë ka marrë vendim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë. Ajo bëri të ditur se ky hap i rëndësishëm i shtetit malajzian i prin hapjes së Ambasadës së Kosovës në Kuala Lumpur, që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme, në kuadër të vizitës së saj zyrtare.

“Përpara vizitës sime zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, jam thellësisht mirënjohëse ndaj autoriteteve malajziane për vendimin e tyre për të dhënë përjashtime nga vizat për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë. Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë”, ka njoftuar Osmani më 25 prill 2025 përmes një postimi në platformën X.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje ndaj institucioneve të Malajzisë dhe ka theksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Përveç Malajzisë, nga 1 dhjetori 2025 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza edhe drejt Tajvanit.
Ndërkohë, që nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës kanë filluar të udhëtojnë lirshëm në vendet e Zonës Schengen me pasaporta biometrike, me kushtin që qëndrimi të mos i kalojë 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh.

Errët
Ndritshëm