Errët
Ndritshëm

Fillimi i prillit, afati i fundit për dëgjimin e dëshmitarëve të ZPS-së në Hagë

19.02.2025
Hashim Thaçi Dhe Te Tjeret

Katër prilli i këtij viti është data e fundit e parashikuar për dëgjimin e dëshmitarëve të ZPS-së në Dhomat e Specializuara në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka njoftuar prokurori Matt Halling.

Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes, Halling tha të mërkurën se brenda 15 prillit do të dorëzojnë mocionet e fundit me shkrim, përfshirë mocione joverbale dhe prova përkatëse.

“Kjo është data që është planifikuar”, ka thënë prokurori.

“Javën tjetër kemi dy dëshmitarë, për muajin mars kemi një dëshmitar dhe do t’iu japim përditësime për dëshmitarë të tjerë të planifikuar për në mars, sapo ta kemi këtë përditësim… Disa dëshmitarë që kanë mbetur, kanë probleme të ndërlikuara që lidhen me sigurinë, përgatitjen, bashkëpunimin me shtetet e treta, sidoqoftë, ne po bëjmë të pamundurën, brenda mundësive tona”, ka thënë James Pace, prokuror.

“Për momentin, i vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari W04403, dëshmitarët e tjerë që do t’i thërrasim, ende nuk i kemi evidentuar”, ka thënë Pace.

“Nuk kemi 50 apo 100 dëshmitarë. Vetëm 20 dëshmitarë kanë mbetur dhe ju thashë disa do të vijnë në sallën e gjyqit, disa do të pranohen sipas rregullës 153, 155, ndryshimet do t’ua japim brenda kësaj jave dhe do të ngelen shumë pak dëshmitarë”, ka thënë Pace.

Rregullat 153 dhe 155 përcaktojnë pranimin e deklaratave dhe transkriptove me shkrim, në vend të dëshmive verbale.

“Ne kemi përllogaritur se janë së paku 10 dëshmitarë të cilët mbetën për t’u dëgjuar në bllokun e marsit, por janë shumë për t’u përgatitur për të 10-it dhe nëse nuk do të thirren duhet që ta dimë. Deri në fund të javës së ardhshme prokuroria duhet të na njoftojë se nëse, krahas një dëshmitari që tashmë e dimë që do të vijë, a do të ketë dëshmitarë të tjerë apo jo. Të paktën ta dimë që deri në fund të këtij blloku të përgatitemi për një, dy apo dhjetë dëshmitarë, sepse është një diferencë shumë e madhe sa i përket burimeve tona në personel”, ka kërkuar avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.

“Po, numri që përmend avokati, janë 10 dëshmitarë që mbeten, por nga këta 10, shumë apo disa prej tyre do të kalojnë sipas rregullit 153, 154 ose do t’i hiqen fare nga lista e dëshmitarëve. Nuk mendojmë që të 10 dëshmitarët do të dëgjohen në bllokun e marsit dhe as nuk do të dëgjohen përtej kësaj date. Por sa i takon vendosjes së një afati, kjo është arbitrare”, është përgjigjur Pace.

Errët
Ndritshëm