Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) informacione për të vërtetuar nëse ka elemente të ndonjë vepre penale.
Përmes një komunikate për medie, thuhet se Prokuroria pranoi të hënën informacione rreth mosfunksionimit të ueb-faqes së KQZ-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo”, thuhet në njoftim.
Edhe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se Prokuroria nuk ka nisur hetimet, por janë në fazën e mbledhjes së informacioneve.
“Ne do të tregojmë qartë që nuk kemi fillu hetimet, por jemi në fazën e mbledhjes së informatave për çështjen e defekteve që janë kriju”, tha Gashi.
Ndryshe, të dielën më 9 shkurt, KQZ-ja ka konfirmuar se kanë probleme me ueb-faqen dhe se të dhënat po mbledhen manualisht. Megjthatë, ende nuk janë publikuar të plota rezultatet preliminare. /BetimipërDrejtësi