Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, e ka quajtur delirant kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së tij mbi marrëdhëniet me SHBA-në.
Grenell theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë në nivelin më të ulët.
“Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA, Anthony Blinken etj”, ka shkruar Grenell në platformën X.
Kritikat mes të dyve shpërthyen kur Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë “më të mira se kurrë”.
Ai theksoi se, megjithë disa kritika, Kosova po e ruan miqësinë me SHBA-në, duke përmendur marrëveshjet për helikopterët dhe avancimin e raporteve diplomatike dhe të mbrojtjes.