Zjarr i madh e kaploi Qendrën Tregtare ETC në Suharekë mëngjesin e së dielës.
Pronari i Elkosit, Ramiz Kelmendi, ka reagur në Facebook.
Ai ka thënë se dëmet materiale nga zjarri që kaploi objektin e ETC-së në Suharekë janë mbi tre milionë euro.
Kelmendi më tutje ka thënë se, si herëve të tjera, edhe kësaj radhe zjarri nisi në depo.
“Të nderuar kolegë, sot, e diel, 19.01.2025, në orët e hershme të mëngjesit (sikurse edhe herëve të tjera), filloi zjarri në ETC Suharekë dhe atë duke filluar nga Depo (sikur në të tri rastet). Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme (mbi 3 milionë), ku sipërfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katror,” ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Ai ka thënë se, pasi nuk është rasti i parë, ai mbetet me shpresë që “organet e rendit dhe të sigurisë të merren me këto raste, sepse duhet larguar dyshimet e qëllimta dhe ato të paqëllimta”.
“Është për të ardhur keq papërgjegjësia, në të tri rastet, e monitorimit vizual qendror me mbikëqyrje 24-orëshe, 2 persona në vazhdimësi (ku shihte qartë në kamera, zanafilla dhe mundësia për intervenim),” shkroi Kelmendi.
Zjarri në Qendrën Tregtare ETC në Suharekë tashmë është vënë nën kontroll të plotë.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Ju njoftojmë se zjarri në QT ETC është nën kontroll të plotë. Zjarrfikësit janë në vendngjarje ende, ata do të qëndrojnë në vendin e ngjarjes, pasi që ka zjarre të vogla që po shpërthejnë brenda Q.T ETC, si dhe për shkak se në afërsi gjendet Q.T Ben-CENTER dhe Restoranti GAMA. Po ashtu, të gjitha njësitet relevante policore janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me këtë rast,” tha Gashi.