Errët
Ndritshëm

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit në Prizren, mungon i akuzuari

10.01.2025

Në mungesë të të akuzuarit Njiazi Kryeziu, të premten ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku i njëjti po akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjykatësja Raima Elezi bëri të ditur se seanca e parapara të mbahet këtë të në ditën e premte nuk do të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Kryeziu, duke shtuar se avokati i tij Kujtim Kërveshi ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet sot në seancë për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarin Kryeziu më 21 shtator 2021 e ka liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015 e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 1 mijë e 200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Errët
Ndritshëm