Errët
Ndritshëm

Kosova konsiderohet vendi më i varfër në rajon dhe Evropë, sipas Bankës Botërore

05.01.2025

Sipas Bankës Botërore shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, 19.2 për qind.

Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për kokë banori, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, vendi mbetet prapa fqinjëve të saj me Bruto Produktin Vendor për kokë banori që arrin vetëm 5.889 euro.
Ndërsa, Luksemburgu (137,839 euro), Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Austria janë pesë vendet e BE-së me të ardhurat më të larta për frymë.

Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë Jane Sprouster thotë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, sidomos për popullatën e re.

“Kosova ballafaqohet me nevojën për të ndërmarrë reforma që do të kërkojnë burime të konsiderueshme fiskale. Kjo përfshin zbatimin e një strategjie të re energjetike, përmirësimin e sigurisë së ujit dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për të forcuar kapitalin njerëzor dhe ndërlidhjen. Projeksionet tona të fundit, nga tetori 2024, tregojnë se rritja e BPV-së parashikohet të përshpejtohet në 3.8 për qind në vitin 2024 dhe gradualisht të shkojë drejt 4 për qind në periudhën afatmesme.
Nga ana e prodhimit, shërbimet dhe ndërtimtaria do të japin kontributin më të lartë në rritje ekonomike. Ne presim që eksportet e mallrave të mbeten të ndrydhura këtë vit, përpara se të rikuperohen gradualisht deri në vitin 2026. Ne presim gjithashtu që stabilizimi ndërkombëtar i çmimeve të ngadalësojë inflacionin e çmimeve të konsumit vendas në rreth 2 për qind këtë vit. Me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, ne parashikojmë që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind këtë vit në 17.1 për qind në 2025”, shprehet Spouster.

Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

Errët
Ndritshëm