Errët
Ndritshëm

Isufaj: Askush nuk është mbi ligjin, nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri

30.12.2024
Download

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë, kanë përgjegjësi ligjore për të bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë – teksa kryeministri Albin Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, Isufaj tha se “të gjithë janë të barabartë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunoj me sistemin e drejtësisë. Prandaj, ju bëj thirrje gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe qeverinë, që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt, sepse fare nuk më interesojnë. Po flas për ato që di dhe që mendoj që duhet të bëhet”, ka thënë Isufaj.

“PSRK-ja dhe në përgjithësi sistemi i prokuroria dhe gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë. Ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe kushtetutë. Dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri. Me sinqeritet më të madh iu them se unë nuk kam informacione, nëse ndokush është intervistuar në zyrën e kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, unë nuk di. Të pakën për këto 5 vite situatë të tilla nuk kemi pasur”, ka shtuar Isufaj.

Errët
Ndritshëm