Mbi 90,000 qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar si votues për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Periudha e pranimit të aplikimeve ka përfunduar në orën 23:59 të së enjtes, ndërsa numri i aplikimeve që janë ende në shqyrtim është 18,244.
KQZ ka njoftuar se shqyrtimi i këtyre aplikimeve do të vazhdojë edhe gjatë së premtes.
“Ju njoftoj se periudha 120-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar. Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi bëri të ditur se raporti përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë do të publikohet së shpejti.
“Ju njoftoj se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve,” ka shtuar ai.
Mbi 90 mijë persona janë regjistruar për votim jashtë vendit
