Edmond Lajçi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.
Ai e pranoi fajësinë të martën, më 24 dhjetor, gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.
Familjarët e Ukellës e mirëpritën vendimin e gjykatës.
“Gjykata e dha vendimin final që ne si familje na lehtësoi sado pak dhimbjen,” tha vëllai i të ndjerës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 19 nëntor, Lajçi akuzohej se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, kishte vrarë me dashje dhe me armë zjarri bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.
Në aktakuzë theksohet gjithashtu se çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe se Lajçi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes. Po atë ditë kur ndodhi vrasja, sipas aktakuzës, i akuzuari, pas kthimit në shtëpi pas një nate në spital ku kishte qëndruar me nënën e tij që trajtohej për një sëmundje, i kishte kërkuar vajzës së tij të largohej nga banesa për të blerë diçka në dyqan, me qëllim që të mbetej vetëm me bashkëshorten.
Edmond Lajçi dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes
