Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dështuar të mbahet për shkak se nuk u arrit kuorumi.
Në këtë mbledhje mori pjesë vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe anëtarët e KQZ-së nga partia në pushtet, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi.
Në rend dite ka qenë edhe shqyrtimi i rekomandimit të sekretariatit të KQZ-së për shtyrjen e afatit për regjistrim të mërgatës deri më 29 dhjetor.
Krasniqi ka thënë se mungesa e anëtarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së lidhet me këtë çështje. “Ata edhe më herët kanë shfaqur kundërshtitë e tyre për çfarëdo shtyrje të afateve nga KQZ-ja për pjesëmarrjen e mërgatës në procesin zgjedhor. Le të na tregojnë a i ka kapur barku a zemra … Kjo mungesë është e pandershme. Nuk mundemi për këtë çështje kaq të rëndësishme ta mbyllim këtë mbledhje”, ka theksuar ai.