Errët
Ndritshëm

Rekomandohet suspendimi i tre zyrtarëve policorë në Ferizaj, dyshohen se tejkaluan autorizimet policore

25.12.2024

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Ferizaj, pasi dyshohen për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës ndaj një të dyshuari.

Në njoftimin e IPK-së, thuhet se Departamenti i Hetimeve pas publikimit të një videoje në medie, sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 23.12.2024 në Ferizaj në orët e vona të natës kur policia kishin ndaluar një të dyshuar i cili nuk ishte ndaluar me veturën e tij dhe policia i ishte vënë në ndjekje. Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë, të cilët janë të dyshuar për tejkalim të autorizimeve dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent”, njofton IPK-ja. /BetimipërDrejtësi

Errët
Ndritshëm