Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Me 2 vota pro, 2 kundër dhe mospjesëmarrje të anëtarëve të tjerë në votim, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e konstatoi moscertifikimin e LS-së. “Nuk kalon rekomandimi i zyrës për certifikimin e Listës Serbe” – tha Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.
Vendimi erdhi pas vlerësimit se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore të këtij subjekti politik.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, shpjegoi arsyen e kundërshtimit të tij për certifikimin e LS-së. “Kryetari i Listës Serbe (Zllatan Elek) në deklaratën e tij nuk e përmend askund Kosovën, thotë ‘rroftë Serbia’. Unë nuk mund ta votoj këtë parti. Po e lëshoj fjalimin e udhëheqësit të Listës Serbe, dëgjojeni” – deklaroi Kurteshi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, shpjegoi arsyetimin për “abstenimin në votim.” “Shqetësimet i ndajmë të gjithë, por kjo listë ka marrë rekomandim nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim. Unë do të abstenoj. Të gjithë e dimë kush është Lista Serbe, por është mirë që institucionet të na tregojnë me dokumente, me letra. Nëse ata pjesëtarë janë pjesë e akteve terroriste, Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta trajtojë. Tash duhet të flas ligji dhe rekomandimet ligjore, kryetar ju dhe institucionet diskutoni këtë çështje dhe ejani këtu.” – deklaroi Elshani.
Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Ilir Gashi, edhe ky nga PDK-ja, tha se nuk do të marrë pjesë në votim. “Nuk është mirë që diçka e tillë të bëhet mollë sherri, dihet që ligjërisht edhe nëse nuk certifikohet sot, kjo listë certifikohet sepse Zyra Për Regjistrim ka thënë që i plotëson kriteret. Ne shqetësimet i ndajmë dhe i dimë, por asnjë institucion nuk ka marrë hapa që ta provojë që kjo Listë si e tillë ka ndërmarrë veprime terroriste. Nuk do marr as unë pjesë në votim” – tha Gashi.