Këtë të hënë Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet V. N. nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e cila është e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
“Veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës. I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S.”. njofton Prokuroria.
I dyshuari do të gjykohet në mungesë
“Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par.7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë.” thuhet në njoftim
Kjo çështje penale tani është nën kompetencën e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.