Errët
Ndritshëm

Putin thotë se mbrojtja ajrore e Perëndimit ‘nuk ka asnjë shans’ kundër raketës balistike ruse

19.12.2024

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dominoi si temë në konferencën vjetore maratonë të Presidentit Vladimir Putin të enjten, me udhëheqësin rus që trajtoi gjithashtu çështje duke përfshirë marrëdhëniet e ardhshme me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe situatën në Siri.

Ndër pyetjet ishte se si do të merrej Moska me administratën e ardhshme të Trump, duke qenë se Rusia ishte në një “pozicion më të dobët”.

Në përgjigje, Putin tha se nuk kishte folhur me Trump për katër vjet, por ishte gati për një takim. “Ju do të dëshironit shumë që Rusia të ishte në një pozitë të dobësuar, por unë kam një këndvështrim tjetër,” tha ai, raporton ABC News, transmeton Shënjestër.

“Nëse ndonjëherë takohem me presidentin e sapozgjedhur, zotrin Trump, jam i sigurt se do të kemi diçka për të biseduar,” tha Putin.

Duke diskutuar për luftën e vazhdueshme në Ukrainë, Putin pohoi se raketa balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik e përdorur kohët e fundit për të goditur qytetin ukrainas të Dnipro nuk mund të kapet nga sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore.

Teknologjia perëndimore, tha ai, “nuk ka asnjë shans” kundër raketës.

Putin madje sugjeroi organizimin e “një eksperimenti ose një dueli” në të cilin Rusia do të zgjidhte një objektiv për një sulm Oreshnik në Kiev dhe Ukraina do të vendoste mbrojtjen ajrore të saj të furnizuar nga Perëndimi për të kapur raketën.

“Do të jetë interesante për ne,” tha Putin.

Presidenti përsëriti kërcënimin e tij për të synuar “qendrat vendimmarrëse” në Ukrainë. “Lista e objektivave prioritare të Moskës përfshin objektet ushtarake dhe objektet komplekse ushtarako-industriale,” tha Putin.

Presidenti rus Vladimir Putin tha gjithashtu se forcat ruse po bëjnë përparim në fushën e betejës dhe se trupat ukrainase do të nxirren nga pozicionet në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë, megjithëse nuk ofroi një vlerësim se sa kohë do të zgjaste.

Errët
Ndritshëm