Errët
Ndritshëm

Municionet “Made in Kosova” – një ambicie ende e largët

19.12.2024

Këto ditë kishte shumë bujë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Kosovë. Edhe pse shumëçka rreth saj mbahet sekret, ky artikull sjell përgjigje në së paku disa pyetje: kur mund të funksionalizohet fabrika dhe çfarë hapash duhet të ndiqen për të përfituar prej saj?

Në kohën e pasigurive rajonale dhe tensioneve globale, Kosova i ka vendosur vetes një objektiv: prodhimin e municioneve.

Për ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve ushtarake të vendit.

Fabrika e paralajmëruar e municioneve, sipas tij, do të krijojë jo vetëm aftësi vetanake të mbrojtjes, por edhe mundësi eksporti.

Ekspertët e sigurisë, në anën tjetër, shprehen më të rezervuar – disa thonë se do të duhen vite kohë për përmbushjen e kësaj ambicieje, e të tjerë favorizojnë rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Çka synon Kosova?
Me një marrëveshje të nënshkruar më 16 dhjetor me kompaninë turke të armëve, MKE, Kosova synon të ndërtojë një fabrikë të municioneve të kalibrave të ndryshëm – të parën në vend

Maqedonci nuk jep detaje se ku dhe kur pritet të nisë prodhimi, duke thënë se informacionet e tilla janë të klasifikuara, por shpreh bindjen se me jetësimin e saj, Kosova nuk do të jetë më e varur për municione.

“Ne, normalisht, nuk mund të bëhemi 100% të vetëqëndrueshëm, por mund ta zvogëlojmë varësinë nga vendet e tjera, duke prodhuar municione apo armatime, të cilat shpenzohen më shumë dhe sigurohen më vështirë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Maqedonci tregon se, fillimisht, do të prodhohen municione 5.56 milimetra dhe 7.62 milimetra, të cilat përdoren edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës, edhe nga Policia e Kosovës.

Ai thotë se fabrika do të drejtohet nga shteti, por se “është e rëndësishme që të ketë edhe investitorë privatë, për të rritur prodhimin”.

“Në atë mënyrë, do të sigurojmë furnizime të qëndrueshme për nevojat e brendshme, por do të jemi në gjendje edhe të eksportojmë në vendet partnere, varësisht kërkesave të tyre”, thotë ministri i Mbrojtjes.

Disa përfaqësues të opozitës shprehin dyshime se ky projekt do të realizohet.

Për Rashit Qalajn, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, vetë nënshkrimi i kontratës me një kompani turke është i diskutueshëm.

“Unë mendoj se për çdo gjë që ka të bëjë me armatimin dhe municionet, ne duhet të orientohemi nga partneri ynë strategjik: SHBA-ja”, thotë ai.

Por, Maqedonci siguron se në krejt këta hapa, Kosova e ka mbështetjen e NATO-s – aleancës ku mëton të anëtarësohet – përfshirë edhe të SHBA-së.

Kosova, me 1.5 milion banorë, ka Forcën e saj të Sigurisë, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe policinë me rreth 9.000 pjesëtarë.

I pranishëm në vend është edhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

A mund të bëhet Kosova e vetëqëndrueshme me municion?
Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se përmbushja e kësaj ambicieje, varet nga së paku tre faktorë – jo të arritshëm në afat të shkurtër.

Municioni ka nevojë për kimikate për eksplozivë, për metale speciale dhe për lëndë të para, që shpesh vijnë nga Kina…”
Fillimisht, ai thotë se Turqia duhet të pajtohet për transferimin e teknologjisë dhe të licencave të saj në Kosovë, në mënyrë që ajo t’i zhvillojë aftësitë e veta mbrojtëse.

Pastaj, duhet siguruar zinxhiri i pavarur i furnizimeve, që mund të marrë vite kohë.

“… sepse municioni ka nevojë për kimikate për eksplozivë, për metale speciale dhe për lëndë të para, që shpesh vijnë nga Kina dhe vende të tjera”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

“Gjërat mund të komplikohen edhe më, nëse municioni që prodhohet, përfshin predha dhe raketa që varen nga mikroprocesorë dhe aparatura të tjera të sofistikuara elektronike”, sipas tij.

Si faktor të tretë të rëndësishëm, që Kosova duhet ta marrë në konsideratë, Shea përmend përfitimet.

Ai thotë se Kosovës do t’i duhej të eksportojë patjetër municione, në mënyrë që atë kapital ta investojë në mbështetje të industrisë së saj të mbrojtjes.

Një treg potencial për eksporte, sipas Sheas, mund të jetë vetë Turqia, sidomos nëse fabrika në Kosovë operon si strukturë e saj në vend të huaj.

“E, pasi të filloni të prodhoni sasi të mëdha municionesh, ruajtja e sigurt e tyre bëhet një çështje tjetër madhore, por edhe dobësi e mundshme. E mbani mend shpërthimin masiv të një depoje municionesh në Tiranë, disa vite më parë? Ajo ngjarje çoi në krizë politike në atë vend”, kujton Shea./ Radio Evropa e Lire.

Errët
Ndritshëm