Errët
Ndritshëm

Shala deklarohet fajtor, dakordohet për dënim me 3 vjet burgim

18.12.2024
3108fbd9 867d 4354 A777 B47edcb72cbd

Haxhi Shala të hënën në Hagë e ka ndryshuar deklarimin rreth fajësisë. Tani ai e ka pranuar fajësinë sipas marrëveshjes që ka arritur me Prokurorinë dhe është dakorduar për dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë i intervistuar nga Prokuroria dhe hetuesit dhe nuk isha i njoftuar plotësisht se çka bëhet fjalë dhe për këtë arsye jam deklaruar i pafajshëm. Tash jam i fajshëm më atë se çka jam pajtuar”, tha Shala.

Atij iu lexuan pikat e aktakuzës së datës 10 korrik 2024 që janë përfshirë në marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Për të gjitha këto pika, Shala u deklarua fajtor.

Përpara kësaj, Shala tha se është i vetëdijshëm për marrëveshjen dhe është plotësisht dakord si me përfitimet e po ashtu edhe pasojat që dalin nga ajo.

“Unë jam i vetëdijshëm për këtë marrëveshje, e kuptoj shumë mirë sepse është në gjuhën shqipe. Kam komunikuar edhe me avokatin tim dhe plotësisht jam dakord me këtë marrëveshje. I kuptoj edhe pasojat edhe të gjitha”, tha Shala.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Haxhi Shala, në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ishin dakorduar për caktimin e dënimit prej 3 vjet burgim për Shalën.

Kjo gjë u tha nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila shtoi se ZPS-ja dhe Shala ishin dakorduar që përveç kësaj, ZPS-ja të propozojë që të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ju keni rënë dakord për caktimin e një dënimi prej 3 vitesh burgim dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë- në të thuhet që në shkëmbim të fajit nga ju ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një burgim prej tre vitesh burg dhe i rekomandon që zotit Shala t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim të DHSK-së”, tha gjykatësja.

Në pajtim me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Mappie Veldt-Foglia tha se ZPS-ja pajtohet që të tërheq pikën 1 të aktakuzës. Këtë gjë e konfirmoi edhe Shala.

Ai u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij i hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Shala nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.

Errët
Ndritshëm