Dy nga tre policët e lënduar në aksidentin në veri të vendit pritet të lirohen në shtëpi pas trajtimit që kanë marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërsa, siç ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, polici i tretë do të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
Sipas njoftimit, njëri polic është operuar si rast urgjent në kërcin e gjurit në Klinikën e Ortopedisë dhe është në gjendje stabile, e pritet të lirohet nesër.
Polici tjetër, që është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, po ashtu në gjendje stabile, pritet të lirohet sot.
“Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni”, thuhet më tej.
Tetë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u lënduan më 13.12.2024 në fshatin Grabovc të Zveçanit, kur automjeti i blinduar në të cilin gjendeshin ka dalë nga rruga.
Pesë prej tyre u liruan për në shtëpi, një ditë pas aksidentit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.