Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.
Një burim nga ekipi i tranzicionit i Trumpit tha për agjencinë Reuters se Grenell do të fokusohet gjithashtu te tensionet në Ballkan.
“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, shkroi Grenell në platformën “X”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, dhe si drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.
Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të Trumpit.
Pasi bëri fushatë intensive për Trumpin për zgjedhjet e 5 nëntorit, Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.