Të premten, si pasojë e një vetëaksidenti me autoblindën e Policisë së Kosovës, u lënduan 7 pjesëtarë të policisë.
Policia bën me dije se polici, duke drejtuar automjetin zyrtar të blinduar, ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka përfunduar jashtë rruge.
“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i automjetit dhe shtatë pjesëtarë të PK-së, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës. Zyrtarët janë dërguar në Qendrën Spitalore për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes, sipas procedurave, kanë dalë edhe përfaqësues të IPK-së,” thuhet në raportin e Policisë.
Dy nga policët e lënduar nga aksidenti me automjetin zyrtar të blinduar në Zveçan po trajtohen në Kirurgjinë Torakale dhe në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas mjekëve kujdestarë, pacientët kanë lëndime trupore, por gjendja e tyre është stabile.
Mjeku kujdestar në Kirurgjinë Torakale, Frederik Çuperja, ka thënë se pacienti ka thyerje të shumëfishta të brinjëve dhe ndrydhje të kraharorit, por gjendja e tij aktualisht është stabile. Ai ka deklaruar se polici do të vazhdojë të mjekohet në Kirurgjinë Torakale edhe më tutje.