Kryeministri Albin Kurti, në lansimin e projektit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, ka thënë se gjurmuesit do të ndihmojnë që si asnjëherë më parë viktimat ta luftojnë suksesshëm dhunën në familje.
Kurti ka theksuar se mbikëqyrja elektronike do ta reduktojë numrin e rasteve të dhunës në familje, pasi sipas tij, në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi do të lajmërohen të dy nivelet e policisë, ai lokal dhe ai qendror dhe pastaj do të vijojë procedura standarde për ndërhyrje.
Vendosja e hallkave elektronike parashihej në Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2015.
Kontrata mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe operatorit ekonomik për zbatim të këtij ligji është nënshkruar në korrik të këtij viti.
“Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje”, është shprehur Kurti, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se problemi më i madh ka qenë mosresptimi i urdhrave mbrojtës. “Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, ka deklaruar Kurti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka theksuar se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.