Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore serbe me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.
Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.
Ai u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.
Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte.
Nga Prokuroria për krime lufte në Beograd kishin thënë për Radion Evropa e Lirë se Mehmetaj akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999.
Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.