Errët
Ndritshëm

Kërkohet nga Kuvendi sigurim shëndetsor i pakushtëzuar për vikimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

04.12.2024

Në seancën plenare që do të mbahet nesër pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Projektligji në fjalë, me numër 08/L-320, parashikon që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë mund të përfitojnë nga sigurimi shëndetësor të paguar nga shteti, vetëm nëse konstatohet statusi i tyre i varfërisë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) nuk pajtohet me një trajtim të tillë për viktimat e dhunës seksuale dhe sipas tyre, sigurimi shëndetësor nuk duhet të kushtëzohet.

”Prandaj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) i ka dorëzuar një kërkesë zyrtare (letër avokuese) Kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Grupit të Grave Deputete, si dhe Grupeve Parlamentare, duke propozuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim”, thuhet në njoftimin e QKRMT.

Viktimat e dhunës seksuale kanë nevoja specifike dhe të përditshme për kujdes mjekësor, të cilat tejkalojnë mundësitë që ata kanë për t’i mbuluar.

”Pensioni që u jepet aktualisht nuk mbulon shpenzimet bazë për vizita mjekësore, terapi fizike, medikamente dhe shërbime psiko-sociale të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, thuhet në njoftim.

QKRMT kërkon që institucionet të pranojnë këtë propozim dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës të përfitojnë sigurim shëndetësor të pakushtëzuar. Për më tepër, QKRMT apelon që trajtimi i kësaj kategorie brenda ligjit të jetë i qartë dhe dinjitoz, duke reflektuar realitetin dhe nevojat e tyre.

”Mbështetja ndaj viktimave të dhunës seksuale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi morale dhe shoqërore. Është koha që të ndërmerren veprime konkrete për të garantuar që të mbijetuarit të trajtohen me dinjitet dhe respekt, pa pengesa të panevojshme”, thuhet në përfundim të njoftimit.

Errët
Ndritshëm