Errët
Ndritshëm

Kosova nënshkruan marrëveshje doganore me Arabinë Saudite

04.12.2024

Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje doganore me Arabinë Saudite.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes Facebook.
Ai u shpreh i nderuar që u arrit ”Marrëveshja për Bashkëpunim Doganor” mes dy vendeve, e cila u nënshkrua me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al Jadaan.

”Kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik” u shpreh Murati.

Marrëveshja u nënshkrua në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe Drejtori i Doganave Agron Llugaliu dhe atasheu doganor Bekim Mehmetaj.

Sipas Muratit, Kosova po vazhdon të ndërtojë partneritete që sjellin përfitime të prekshme për ekonominë dhe qytetarët tanë, dhe njëkohësisht forcojnë lidhjet tona me shtetet mike.

Errët
Ndritshëm