Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli ligjin ushtarak të martën, duke u zotuar të eliminojë forcat “anti-shtetërore” ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit dhe që ai akuzon për simpatinë me Korenë e Veriut komuniste.
Disa orë më vonë, parlamenti votoi për heqjen e deklaratës, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Woo Won Shik, duke deklaruar se ligjvënësit “do të mbrojnë demokracinë me njerëzit”. Woo bëri thirrje që policia dhe personeli ushtarak të tërhiqen nga ambientet e Kuvendit.
Lëvizja befasuese e presidentit e kthen Korenë e Jugut në një epokë liderësh autoritarë që vendi nuk e ka parë që nga vitet 1980 dhe u denoncua menjëherë nga opozita dhe lideri i partisë konservatore të Yoon, raporton Associated Press, transmeton Shënjestër.
Pas njoftimit të Yoon, ushtria e Koresë së Jugut shpalli se parlamenti dhe tubimet e tjera politike që mund të shkaktonin “konfuzion social” do të pezulloheshin, sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap.
Ushtria tha gjithashtu se mjekët grevistë të vendit duhet të kthehen në punë brenda 48 orëve, sipas Yonhap. Mijëra mjekë kanë qenë në grevë prej muajsh mbi planet e qeverisë për të zgjeruar numrin e studentëve në shkollat e mjekësisë. Ushtria tha se kushdo që shkel dekretin mund të arrestohet pa urdhër.