Errët
Ndritshëm

Eurodeputetët duan hetim ndërkombëtarë për sulmin terrorist në Zubin Potok

02.12.2024

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka diskutuar për sulmin terrorist që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, e shprehu shqetësimin e Parlamentit Evropian dhe tha se këto sulme e destabilizojnë Kosovën.

Ndërkohë, për disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe pse kanë shprehur solidaritetin me Kosovën, duhen më shumë prova rreth përfshirjes së autoriteteve të Serbisë në sulmet në veri, dhe disa prej tyre kanë kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Faleminderit për këtë prezantim goxha tronditës, por edhe të qartë. Të gjithë kemi arsye për të reflektuar mbi këtë situatë, dhe të gjitha vrojtimet që patët mbi atë që ka ndodhur. Kur ta kemi presidentin Vuçiq në Bruksel nesër, do të shohim si do të reagojë. Duhet të shohim se çfarë ka ndodhur. Sigurisht se duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet, megjithëse mund të jetë e vështirë të kuptohet çdo gjë.”

“Janë bërë pretendime goxha serioze, por pyetja e parë do të ishte çfarë provash tashmë janë vënë në dispozicion në mbështetje të këtyre pretendimeve apo akuzave. Besoj fuqimisht se edhe organi ekzekutiv, siç është Komisioni Evropian, do të duhej t’i merrte këto gjëra shumë seriozisht nëse të gjitha këto që i keni thënë ju dëshmohen të vërteta. Por duhet të kemi fakte,” tha Michael Gahler, eurodeputet nga Gjermania.

Edhe eurodeputeti spanjoll, Nacho Sánchez Amor, tha se solidarizohet me autoritetet e Kosovës.

“E kuptojmë se qeveria juaj ndodhet në një situatë goxha të rëndë dhe shprehim mbështetjen tonë për të gjithë njerëzit e prekur dhe popullatën tuaj. Ju folët për prapavijën historike dhe sigurisht të kaluarën që ka ndodhur nga Serbia mbi vendin tuaj, dhe pastaj edhe mediat serbe kundër shtetit tuaj,” tha Sánchez Amor.

Sipas Sánchez Amor, megjithëse Kosova po e vendos përgjegjësinë mbi Serbinë, mënyra si u përshkrua incidenti nuk mjafton për ta marrë si të vërtetë.

“Ju përmendët edhe qëndrimet politike të presidentit Vuçiq si propagandë dhe pastaj miqësitë e tij të rrezikshme, por mënyra se si përshkruat incidentin nuk besoj që mjafton për ta marrë si të vërtetë. Ju përmendët grupet kriminale të kontrolluara nga Serbia që sulmet çojnë drejt orkestrimit nga Beogradi, por është e vështirë të veprohet nëse nuk ofrohen prova më bindëse se ka një përgjegjësi të tillë,” ka thënë ai.

Austriaku Thomas Waitz kërkoi një hetim ndërkombëtar të rastit në Varagë të Zubin Potokut. Ai madje shtoi se fakti që nuk njihet Kosova prej 5 anëtarëve të BE i jep mesazh Rusisë që të destabilizojë rajonin.

“Fakti që jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën është pjesë e mesazhit që i kemi përçuar Rusisë dhe gjithë atyre që synojnë destabilizim. Është koha e fundit që pesë shtetet e mbetura të BE-së ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe ky është sinjali kyç që ta promovojmë paqen dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore,” ka thënë Waitz.

Errët
Ndritshëm