Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se akoma është herët të fajësohet dikush për sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Pas takimit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori amerikan Hovenier ka thënë se duhet një hetim shumë i kujdesshëm.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu, nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, ka thënë ai.
Hovenieri ka shtuar se SHBA-ja ofron mbështetje në hetimin e këtij rasti. Ai ka theksuar se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme.
Po ashtu, Hovenieri tha se SHBA-ja po punon me institucionet e Kosovës për t’i gjetur përgjegjësit
Aktualisht të arrestuar janë 8 persona për shpërthimin në Ibër Lepenc. Vetëm njëri doli para Gjykatës dhe iu caktua 30 ditë paraburgim.