KFOR ka konfirmuar se pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut më 29 nëntor, institucionet e Kosovës kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën ku ndodhi shpërthimi.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, transmeton Shënjestër.
Kosova duhej të bënte një kërkesë të tillë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
“Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese”, tha KFOR në përgjigjen e tij.
KFOR siguroi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon. Fajtorë e quan Serbinë edhe presidentja, Vjosa Osmani, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Për shpërthimin në veri të vendit, Policia e Kosovës ka arrestuar 8 të dyshuar. Ndërsa në Gjykatën Themelore në Prishtinë u soll vetëm njëri nga 8 të arrestuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.