Vendimi i kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti për nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot, ka nxitur reagime të ndryshme në vend. Vartësit e pushtetit e kanë përkrahur me të madhe këtë vendim, ndërsa kritikët e qeverisë kanë pasur rezervat e tyre për këtë hap.
Të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se ka nisur procedurat për procedurat e nevojshme për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot.
Kurti tha se është vendim i rëndësishëm dhe një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë sonë.
Në anën tjetër, vendimi i Kurtit është kritikuar nga analistët e politikës e politikanë të partive opozitare.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për këtë rast ka publikuar nja video të moçme të Kurtit kur premtonte hapjen e një fabrike për prodhimin e keçapit.
Ajo konsideron që Qeveria Kurti nuk ka kryer asnjë projekt dhe se këto premtime po i bën vetëm për propagandë për shkak të zgjedhjeve më 9 shkurt.
“A e mbani mend premtimin e Albinit për ndërtimin e një fabrike të keqapit? Eh, pasiqë shkuan 4 vite atë s’mundi ta ndërtojë e sot tha hajt se po e fillojmë një fabrikë të municionit. Besoj deri me 9 shkurt e ndërton. Si të ndërtojnë fabrikën e municionit, po e hapshin Urën e Ibrit. Propaganda nuk kalon, mashtrimeve u erdhi fundi.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe anëtari i Nismës, Bilall Sherfi, ka thënë se ky veprim u bë veç për shkak të zgjedhjeve.
“Nga krejt kjo del një tendencë për me i ushqy pak militantët me material për t’u përballë më këtë furinë opozitare në të gjitha anët. Krejt kjo shkon në funksion të nxjerrjes në plan të dytë të gjitha aferat e korrupsionit që kanë fillu të shpërfaqin fytyrën e vertetë të kësaj qeverie” – ka thënë ai në T7.
Ndërkaq, drejtori i IKD-së, Ehat Miftarja ka ironizuar me këtë nismë të Qeverisë së Kosovës.
Ai ka thënë se shpreson që fabrika të mosmbetet si premtimi për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, e cila nuk është bërë deri më tani.
“Lajmi i fundit: Amerika, Bashkimi Evropian dhe Kina kanë filluar fuqishëm lobimin për blerjen e municionit nga Republika e Kosovës. Çmendet Rusia, shpresë për Ukrainen. Me paratë e fituara nga fabrika e municionit Kosova do jetë mjaftueshem e pasur dhe te blej rryme per qytetaret e saj. Urime! P.S Fabrika e municionit të shpresojme mos te kete fatin e Padise per Gjenocid dhe deme te luftes ndaj Serbise. Te besojme se nuk jane te perfshire te njejtit eksperta.” – ka shkruar ai në Facebook.
Edhe analisiti Valon Syla beson se ky vendim është premtim i kot dhe se Qeveria Kurti nuk ka punuar asgjë për katër vjet qeverisje.
“4 vjet shkuan dhe u çferrën afër 12 miliardë euro nga njerëzit e VV, për vitra, teze e dajë, vllazën e partiakë, përderisa tjerëve Albin Kurti ja u ndali paratë e buxhetit të gjitha komunave qe nuk ishin të VVs. Tash i paska ra ndërmend fabrika e municionit. Valla bre krye kopallist është Albin Kurti.” – ka shkruar Syla në Facebook.
Ndërkaq, vartësit e pushteti kanë shpërndarë me të madhe këtë vendim, duke u mburru me nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës dhe duke akuzuar se kritikët e qeverisë nuk po i pëlqen vendim.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendimi është bërë në koordinim me ndërkombëtarët.
“Asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtar respektivisht me SHBA-të, që është partneri ynë strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë. Fabrika e municionit është projekt i qeverisë dhe nuk ndërhynë në projektin e tranzicionit të FSK-së”. – ka thënë ai në konferencë për media, duke shtuar se “ne në diskutime jemi fokusuar që prodhimet të bëhen sipas standardeve të NATO-së. Përveç Turqisë ne do të vazhdojmë të diskutojmë edhe me shtetet tjera mundësitë e prodhimit të komponentëve të ndryshëm të armatimit.”