Rrugët e Ferizajt u gjakosën të hënën.
Një person dyshohet se ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.
Motivi i incidentit, nga i cili u lënduan dy vajza të mitura dhe dy djem të moshës madhore, mbetet i panjohur.
“Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë janë duke ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë), me të cilin dyshohet se është kryer akti në rastet e përmendura”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në Spitalin e Ferizajt thanë se tre të lënduarit kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa një person është liruar dhe është kthyer në shtëpi.
Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Sylës, një prej viktimave, e moshës rreth 10-vjeçare, është në gjendje të rëndë.
Ndërsa, sipas tij, dy të plagosurit e tjerë që janë duke u trajtuar në QKUK janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
I dyshuari, E.S, rreth 60 vjeç, është arrestuar në afërsi të qendrës tregtare “Plus Market”.