Errët
Ndritshëm

Njeriu i Qeverisë Kurti shkel ligjin nga meraku për kafenë e preferuar!

01.11.2024
Iily Cafe Copy

Hulumtimi “Kulla e Krimit”. Autorë: Granit Tahiri dhe Fatlum Berisha.

Jo vetëm që dallon me pozitë nga të gjithë punonjësit e tjerë. Si shef i tyre, është përkujdesur që mos ta ketë të ngjashme edhe shijen e kafesë që pi. Fjala është për Drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Samir Bllacaku, për qejfet e të cilit është shkelur ligji nga vetë institucioni që ai drejton.

Bllacaku është emëruar nga Qeveria Kurti në pozitën e drejtorit më 8 shtator 2021, pas propozimit të emrit të tij nga Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Për veti Illy, për punëtorët Galla – shkelja e Zyrës së Drejtorit

ASHNA-ja kishte blerë kafe espresso dhe një aparat kafeje, të dyja me vlerë totale prej mbi 3 mijë eurosh. Blerja ishte bërë përmes procedurave të prokurimit. Kafenë do ta sillte në Agjenci kompania me emrin Agjencia për Ndërmjetësim Gastronomik, Tahir Sadiku, e cila ishte shpallur fituese e tenderit. Kafeja e saj ishte ajo që prodhohej nga fabrika e kafesë, Galla. Kontrata mes palëve ishte nënshkruar më 20 shkurt 2023. Kjo kafe do të pihej vetëm nga punëtorët. Drejtori Samir Bllacaku nuk do ta shijonte fare atë.

Hulumtimi i Shënjestrës tregon se ai kishte blerë një kafe tjetër për vete, madje dy herë pas nënshkrimit të kontratës. Ai e donte Illy Caffè. Blerja e kafesë së preferuar nga Zyra e Drejtorit ishte bërë në kundërshtim me ligjin, më konkretisht me rregullin financiar për shpenzimin e parave publike, i cili derivon nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.

Blerja e parë ishte kryer më 2 mars 2023, kurse ajo e dyta me 7 gusht të atij viti.

Pagesa totale, e ndarë në dy pjesë, ishte 714 euro. Operatori i njëjtë Illy Caffe.

Procesi i sigurimit të kafesë u zhvillua pa procedura të prokurimit.

Neni 21 i rregullit financiar për shpenzim të parave publike thotë se shpenzimet që nuk kanë nevojë të kalojnë kah prokurimi janë shpenzimet e pagave, avancat në udhëtime, shpenzimet komunale, subvencionet, transferet, transaksionet dhe shpenzimet me para të imta. Para të imta nënkupton shuma deri në 100 euro.


Në rastin e ASHNA-s, shuma gjatë blerjes është dy herë mbi 100 euro, me konkretisht pagesat janë nga 357 euro secila. Do të duhej t`i nënshtroheshin procedurave të prokurimit, gjë që nuk kishte ndodhur.

Drejtori me pushime, s`ka përgjigje

Nga Zyra e Drejtorit, Samir Bllacaku, nuk kanë pranuar të komentojnë blerjen e jashtëligjshme të kafesë.

Ata kanë thënë se shefi është në pushim vjetor.

Sipas burimeve brenda ASHNA-s, drejtori Bllacaku dyshohet të jetë përfshirë në një aferë milionëshe, e cila ka të bëjë me një kontratë që institucioni që ai drejton ka lidhur me një operator ekonomik. Në momentin që mediumi do të sigurojë qasje në atë tender, do të raportojë përsëri.

Kjo është storja e tretë dhe e fundit hulumtuese në kuadër të hulumtimit: “KULLA E KRIMIT”.

Errët
Ndritshëm