Hulumtimi “Kulla e Krimit”. Autorë: Granit Tahiri dhe Fatlum Berisha.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror nuk i jep pesë pare për ligj.
Që prej emërimit të Samir Bllacakut si drejtor më 8 shtator 2021, me propozim të Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, aty ka dyshime të bazuara për keqpërdorim të parasë publike.
Fatura e fryer e ASHNA-s
Stafi i ASHNA-s pati organizuar një darkë të fundvitit më 23 dhjetor 2022. Ndeja u mbajt në restorantin Che Bar, që është një nga restorantet më luksoze në Kosovë. Çmimi i menus për person ishte 25 euro. Në atë darkë pjesëmarrjen e kishin konfirmuar 111 punëtorë të ASHNA-s, duke u nënshkruar në një listë.
Kur mblidhen numri i punëtorëve dhe çmimi i menusë, del se Agjencia duhej t’i paguante Che Bar-it vetëm 2,775 euro. Por pagesa, sipas një raporti të Auditimit që e ka siguruar Shënjestër përmes ligjit për qasje në dokumente publike, rezulton se është bërë në vlerë 4,075 euro. Pra, 1,300 euro më shumë. 1,300 euro, para të taksapaguesve.
Pagesa e parë është bërë më 6 dhjetor 2022 për rezervim të sallës. Pagesa tjetër vitin vijues, 9 shkurt 2023.
Rrenë me “kos”
Menaxhmenti dhe departamenti i financave në ASHNA pagesën më të lartë në Che Bar ishin munduar ta arsyetojnë.
Patën thënë se, përveç pjesëmarrësve të darkës në Che Bar, ushqim e pije iu është dërguar edhe stafit tjetër të ASHNA-s, që atë natë më 23 dhjetor, kur u mbajt darka, kanë qenë në ndërrim të natës.
Po ashtu, kanë thënë se në darkë kanë ardhur edhe disa persona më shumë se sa janë shkruar në atë listën prej 111 vetash.
Mirëpo, pos llafeve, ky departament nuk ka ofruar asnjë dëshmi të saktë për numrin total të punëtorëve për të cilët është paguar darka e fundvitit.
Ligji si llastiku
Me këto veprime është shkel Ligji për TVSH, i cili përcakton elementet e detyrueshme që duhet t’i përmbajë fatura, si sasia (në këtë rast numri i punëtorëve për të cilët u faturua ASHNA-ja).
E dyta, korniza ligjore nuk lejon që të paguhen artikujt e kontraktuar para pranimit të tyre, përveç nëse parashikohen pagesa avansi.
A u kthyen paratë?
Auditori i Brendshëm i rekomandonte Agjencisë të korrigjojë listën e pjesëmarrësve dhe t`i kthejë ato mjete për të cilat kanë paguar më shumë në Che Bar.
Agjencia nuk i ktheu përgjigje portalit nëse është rikthyer ose jo shuma prej 1300 eurove, e harxhuar pa asnjë arsyetim faktik.
Shënjestër të mërkurën nisi serinë e hulumtimit “Kulla e Krimit”, duke treguar se si disa zyrtarë të ASHNA-s përdorën ilegalisht veturat zyrtare.