Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili njoftoi se të premten e ka pranuar kërkesën e Hoxhës për dorëheqje dhe e ka liruar atë nga detyra.
Në vend të tij, ushtrues detyre të drejtorit të Policisë është caktuar Fehmi Hoti, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Qeveria ka falënderuar Hoxhën për kontributin dhe angazhimin gjatë kohës sa ishte në krye të Policisë së Kosovës.
Dorëheqja vjen në kohën kur institucionet po përballen me pasojat e trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj.
Të enjten, Policia e Kosovës pezulloi nga puna 11 zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe zyrtarë të lartë të Drejtorisë Rajonale në Pejë, komandantë dhe hetues që kishin pasur përgjegjësi në trajtimin e rastit.
Për këtë rast janë pezulluar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri.