Errët
Ndritshëm

Kompany nuk kthehet te Bayerni deri pas pushimit të kombëtareve

29.10.2026

Vincent Kompany nuk do të rikthehet në stolin e Bayern Munichut deri pas pushimit të nëntorit për ndeshjet e kombëtareve.

Sipas “Bild”, trajneri do të vazhdojë të pushojë dhe të marrë medikamente. Ai do t’i mungojë skuadrës në ndeshjet kundër Borussia Dortmundit, Atletico Madridit dhe Mainz-it.

Rikthimi i tij nuk pritet para përfundimit të pushimit ndërkombëtar. Bayerni do të përballet me Këlnin më 20 nëntor, por vendimi përfundimtar do të varet nga gjendja e tij shëndetësore.

Të premten e kaluar, Kompany u sëmur gjatë një seance stërvitore me ekipin e dytë të Bayernit dhe u dërgua me helikopter në spital. Ai kishte pasur edhe më herët probleme shëndetësore të lidhura me një sëmundje infektive.

Trajneri u lirua nga spitali më 28 tetor, pasi u diagnostikua me irritim të cipave të trurit.

Mediat gjermane raportuan se problemet shëndetësore të Kompanyt mund të jenë shkaktuar nga mbingarkesa. Ai kishte fjetur pak, studiuar vazhdimisht kundërshtarët dhe skemat taktike, ishte ushqyer dobët dhe kishte konsumuar shumë kafe.

Gjatë qëndrimit të tij në spital, Bayerni madje ua kishte ndaluar vizitorëve të diskutonin për futboll me të.

Kompany është në krye të Bayernit që nga viti 2024. Me këtë klub, ai ka fituar pesë trofe, përfshirë dy tituj të Bundesligës.

Errët
Ndritshëm