Pal Lekaj është dënuar përsëri me 3 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e njohur si “53 milionëshi”.
Ish-ministri i Infrastrukturës u shpall fajtor këtë të mërkurë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa drejtonte këtë ministri.
Bashkë me të u dënuan edhe tre zyrtarë të tjerë të asaj kohe. Ish-këshilltari i tij Eset Berisha u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Ish-sekretari Nebih Shatri dhe ish-drejtori i Prokurimit Besim Tahiri u dënuan me nga 1 vit e 8 muaj. Të gjithëve u është ndaluar edhe punësimi në administratën publike për disa vite.
Sipas aktakuzës, më 29 shtator 2017, Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij i dhanë kompanisë “Bechtel & Enka” 53 milionë euro shtesë nga buxheti i shtetit për autostradën “Arbën Xhaferi”. Kjo pagesë u bë duke e shmangur opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”. Shteti e kishte paguar kompaninë “Hill” rreth 8.7 milionë euro për të mbikëqyrur projektin, ndërsa ajo kishte konstatuar se borxhi real për vonesat ishte vetëm 14 milionë euro.
Pal Lekaj nuk e prezantoi fare këtë raport zyrtar në Qeveri. Në mungesë të këtij dokumenti, Ekzekutivi e miratoi pagesën shtesë prej 53 milionë eurosh.
Të katër të akuzuarit ishin dënuar edhe në janar të vitit 2024, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Tash, Themelorja e konfirmoi përsëri dënimin për keqpërdorimin në autostradën që i kushtoi Kosovës rreth 600 milionë euro.