Errët
Ndritshëm

OVL-UÇK mbështet marshin, Gucati kritikon Kurtin e Osmanin

25.08.2026

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se do ta mbështesë “Marshin për liri”, që do të mbahet më 12 shtator, katër ditë para shpalljes së verdiktit final të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen marshit.

Megjithatë, Gucati ka kritikuar organizatën “Liria ka emër” për ftesën që u ka bërë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe deputetëve të LVV-së.

Ai tha se nuk mund të jetë pjesë e një organizimi ku ftohen persona që, sipas tij, kanë votuar kundër përfshirjes së veteranëve në pagën minimale.

Gucati kritikoi gjithashtu Kurtin dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se për gjashtë vite nuk e kanë ngritur çështjen e ish-krerëve të UÇK-së në takimet ndërkombëtare.

Sipas tij, OVL-UÇK-ja do të zhvillojë takime me përfaqësues ndërkombëtarë para vendimit të Gjykatës Speciale, me shpresën për një vendim pozitiv dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërkohë, kryesia e OVL-UÇK-së ka vendosur ta përjashtojë nga organizata veteranin Skender Llugiqi, pas deklaratave dhe fyerjeve të tij ndaj ish-komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Llugiqi, sipas Gucatit, do të vazhdojë të ketë statusin e veteranit dhe të marrë pensionin, por nuk do të jetë më anëtar i OVL-UÇK-së.

Platforma “Liria ka emër” javën e kaluar prezantoi nismën “Kosova po pret”, në kuadër të së cilës më 12 shtator do të mbahet “Marshi për liri”. Organizatorët u kanë bërë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë që t’i bashkohen marshit.

Errët
Ndritshëm