Errët
Ndritshëm

SHBA ndajnë 206 milionë dollarë për forcën në Gaza, Kosova dhe Shqipëria marrin pajisje ushtarake

22.08.2026

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 206 milionë dollarë për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila parashihet të vendoset në Gaza.

Sipas Reuters, Kosova dhe Shqipëria do të jenë ndër vendet e para që do të marrin pajisje ushtarake amerikane në kuadër të këtij misioni.

Rreth 200 milionë dollarë do të përdoren për pajisje, infrastrukturë, automjete dhe shpenzime operative të forcës, ndërsa rreth 6.3 milionë dollarë do të shpenzohen për ridestinimin e nëntë transportuesve të blinduar amerikanë.

Automjetet ishin destinuar fillimisht për Nepalin, por sipas Reuters, Kosova dhe Shqipëria do të jenë përfitueset e para të tyre.

Deri tani, pesë shtete janë zotuar të dërgojnë trupa në ISF: Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër trajnimin e forcave policore.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur mund të dislokohen trupat në Gaza.

Forca është pjesë e planit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të mbështetur rindërtimin e territorit. Ajo parashihet të garantojë sigurinë në zonat nga të cilat do të tërhiqen trupat izraelite, si dhe të trajnojë forca të reja policore palestineze.

Plani, megjithatë, ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes Izraelit dhe Hamasit për kushtet e zbatimit të tij.

Errët
Ndritshëm