Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka propozuar Hashim Thaçin për president të Kosovës, duke thënë se vazhdimi i mandatit të tij do të ishte “nder” për Kuvendin.
Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke e akuzuar se po i shtyn qëllimshëm proceset për formimin e institucioneve.
“Nëse do zgjidhje regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se kthimi i Thaçit në pozitën e presidentit do të ishte një kundërpërgjigje ndaj, siç i ka quajtur, “armiqve të Kosovës”.
Haradinaj ka kritikuar edhe Vetëvendosjen për mos-thirrjen e seancës konstituive, duke e cilësuar arsyetimin për rrezikun e dhunës si “alibi”.
“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mosthirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë është vetëm alibi”, është shprehur Haradinaj.