Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po shkel ligjin dhe po e përdor administratën shtetërore për interesa partiake.
Tahiri tha se më 12 gusht Qeveria ka marrë 18 vendime për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim emërime në agjenci ekzekutive dhe pozita publike.
“Me datë 12 gusht Qeveria e RKS ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione, diku-diku me njerëz të njëjtë për t’i emëruar në agjenci ekzekutive në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, s’ka legjitimitet, po e bllokon shtetin”, ka deklaruar Tahiri.
Ai tha se Aleanca do ta dërgojë këtë çështje në Prokurori dhe do të kërkojë shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimeve.
“Kjo çështje nuk do të mbetet vetëm deklaratë politike, do të kërkojmë shqyrtimin e ligjshmërisë së këtyre akteve dhe vendimeve të paligjshme dhe do t’u drejtohemi organeve kompetente”, tha Tahiri.
Duke folur për krizën institucionale, Tahiri tha se Kosova nuk po përballet me krizë kushtetuese, por me krizë politike.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po synon t’i mbajë nën kontroll tri pozitat kryesore të institucioneve.
Tahiri pretendoi gjithashtu se zvarritja e konstituimit të Kuvendit ka qenë e qëllimshme, në mënyrë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ketë më shumë hapësirë për të përcaktuar kohën e zgjedhjeve.