Errët
Ndritshëm

Apeli ia ul dënimin Dejan Pantiqit, Millenkoviqit dhe Vllajiqit u mbeten 5 vjet burg

07.07.2026

Gjykata e Apelit ka ndryshuar pjesërisht vendimin për rastin e sulmit me granata ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Mitrovicën e Veriut në vitin 2022, duke ia ulur dënimin Dejan Pantiqit nga dy vjet në një vit burgim.

Sipas vendimit të Apelit, Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”, dhe Aleksandër Vllajiqit u është konfirmuar dënimi prej nga pesë vjet burgim për secilin.

Pantiq, ish-polic i Kosovës, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim, pasi vepra ndaj tij ishte rikualifikuar nga terrorizëm në “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Gjykata e Apelit vlerësoi se për të ekzistojnë rrethana që justifikojnë zbutjen e dënimit.

“Dënimi për Dejan Pantiqin ndryshohet dhe i shqiptohet burgim në kohëzgjatje prej një viti, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak”, thuhet në vendimin e Apelit.

Rasti lidhet me sulmin e dhjetorit 2022 ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, ku u hodhën granata dore dhe mjete shpërthyese, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar zyrtarët e KQZ-së dhe policët.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi pjesën tjetër të aktgjykimit të shkallës së parë, duke vlerësuar se provat e administruara kanë vërtetuar përgjegjësinë penale të Millenkoviqit dhe Vllajiqit.

Ndërsa për Pantiqin, Apeli ka konstatuar se nuk kishte prova të mjaftueshme se ai kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në sulmin me mjete shpërthyese apo në kryerjen e një akti terrorist.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 kishte dënuar Millenkoviqin dhe Vllajiqin me nga pesë vjet burgim, ndërsa Pantiqin me dy vjet. Miomir Vakiq ishte liruar nga akuza.

Pantiq, Millenkoviq dhe Vllajiq ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që u viheshin në barrë.

Errët
Ndritshëm