Errët
Ndritshëm

Ngritet aktakuzë ndaj Radomir Deliqit për krime lufte në Vushtrri

07.07.2026

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radomir Deliq, i dyshuar për “krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, Deliq, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë, më 22 maj 1999, në komunën e Vushtrrisë, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj viktimës Sh.D., e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.

Prokuroria Speciale e akuzon gjithashtu se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë, si dhe në veprime të tjera si trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

Lënda është dërguar për shqyrtim të mëtejmë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i akuzuari ndodhet në paraburgim.

Deliq, i njohur me nofkën “Bate”, ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar nga Policia e Kosovës. Sipas Prokurorisë, ai ka qenë pjesëtar i njësive speciale serbe dhe dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në operacione kundër popullsisë civile shqiptare.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria ka deklaruar se posedon prova dhe deklarata dëshmitarësh që e lidhin Deliqin me krimet e dyshuara gjatë luftës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, forcat serbe, përfshirë pjesëtarë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake, kanë vepruar të organizuara kundër civilëve të paarmatosur, duke kryer vrasje, tortura, shkatërrim të pasurisë, plaçkitje dhe dëbim.

Në aktet e Prokurorisë përshkruhet se, më 22 maj 1999, në oborrin e shtëpisë së R.Gj., Deliq dyshohet se ka shtënë disa herë me armë të tipit AK-47 ndaj viktimës Sh.D., duke e lënë të vdekur në vend.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në të njëjtën ditë rreth orës 12:00, ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në shtëpinë dhe oborrin e K.P., trupat e të cilëve më pas dyshohet se janë larguar në drejtim të Mitrovicës nga forcat serbe.

Errët
Ndritshëm