Errët
Ndritshëm

“Prishtina Parking” nis ekzekutimin e pagave pas protestës së punëtorëve

07.07.2026

Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” ka nisur procesin e ekzekutimit të pagave për punëtorët, pas protestës së zhvilluar të martën për shkak të vonesës së tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes, Milot Mahmutaj, ka bërë të ditur se pagat kanë filluar të procedohen dhe do të kalojnë në llogaritë e punëtorëve pasi të përfundojë përpunimi nga bankat.

“Siç e dini, kemi probleme financiare tash e një vit e gjysmë dhe ky ka qenë shkaku i kësaj situate. Sot ka filluar procesi i ekzekutimit të pagave dhe tani varet nga koha e procesimit në banka. Kemi komunikuar edhe me sindikatën dhe jemi dakorduar që sot të dalin pagat, sipas mundësive”, ka deklaruar Mahmutaj.

Ai ka thënë se do të angazhohet për tejkalimin e problemeve, ndërsa gjendjen financiare të ndërmarrjes e ka lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore, e cila ka shfuqizuar disa pika të rregullores.

Më herët gjatë ditës, punëtorët e “Prishtina Parking” protestuan duke kërkuar ekzekutimin e pagave të muajit qershor, si dhe 70 për qind të pagës së muajit gusht të vitit 2025.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Flamur Hajdari, tha se vonesat në paga janë bërë problem i përsëritur dhe kërkoi reagim edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që është dashur të ekzekutohet ende nuk është ekzekutuar. Është data 7 dhe sipas kontratës kemi të drejtë të presim deri më datën 5. Nuk është hera e parë që kemi telashe me paga, por thuajse çdo muaj po presim a do të dalë apo jo”, tha Hajdari.

Sipas sindikatës, nëse vonesat vazhdojnë, do të ndërmerren masa të tjera sindikale. Nga mosrealizimi i pagave janë prekur rreth 200 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkaq, anëtari i sindikatës, Safet Zuka, bëri të ditur se protesta ishte paralajmëruar më herët, pasi punëtorët kishin kërkuar zgjidhje përmes takimeve me drejtuesit e ndërmarrjes.

“Ne kemi pasur takime të vazhdueshme me ndërmarrjen dhe i kemi paralajmëruar se nëse paga nuk del në kohën e caktuar, do të ndërmarrim veprime sindikale”, u shpreh Zuka.

Errët
Ndritshëm