Errët
Ndritshëm

57-vjeçari arrestohet në Lezhë, dyshohet se shkaktoi zjarrin masiv në Shëngjin

04.07.2026

Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, nën dyshimin se ka shkaktuar zjarrin që përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur më 3 korrik në vendin e quajtur “Sagë”, ku i dyshuari B. A. fillimisht kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar. Flakët më pas kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në zonën pyjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Gjatë përhapjes së zjarrit është raportuar edhe një shpërthim, i dyshuar se është shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila ka shpërthyer si pasojë e temperaturave të larta. Si pasojë është plagosur lehtë një 30-vjeçar që po kalonte në zonë, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet rezulton se i dyshuari ka hequr DVR-në e kamerave të sigurisë, veprim që dyshohet se është bërë për të penguar zbardhjen e ngjarjes.

Në përfundim të procedurave, ai është arrestuar në flagrancë dhe po hetohet për disa vepra penale, përfshirë zjarrvënie nga pakujdesia dhe pengim të zbulimit të së vërtetës.

Errët
Ndritshëm