Një ditë pasi autoritetet serbe i caktuan një muaj paraburgim Osman Selmanit, i arrestuar nën dyshimin për krime lufte, djali i tij ka mohuar kategorikisht akuzat.
Arben Selmani thotë se familja ishte dëbuar nga forcat serbe dhe ndodhej në Maqedoni në qershor të vitit 1999, periudhë kur Prokuroria serbe pretendon se babai i tij mori pjesë në vrasjen e një çifti serb në lagjen “Sofalia” në Prishtinë.
Sipas tij, ekzistojnë dëshmi që vërtetojnë se Osman Selmani ndodhej në Maqedoni, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta ndihmojnë në sigurimin e dokumenteve nga NATO dhe OSBE për ta dëshmuar këtë.
Ndërkohë, juristi Ardian Bajraktari u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke vlerësuar se arrestime të tilla po bëhen pa prova të mjaftueshme.
Osman Selmani u arrestua në pikën kufitare në Mutivodë, ndërsa Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji nën akuzën për krime lufte.