Errët
Ndritshëm

Qumështarët kërkojnë kontrolle më të ashpra në gjithë industrinë e qumështit

03.07.2026

Shoqata e Qumështarëve dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet që të vazhdojnë kontrollet në të gjitha fabrikat përpunuese, me qëllim të verifikimit të përbërjes dhe cilësisë së produkteve në treg.

Sipas tyre, përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit duhet të ndalet, pasi dëmton fermerët vendorë, ul kërkesën për qumësht të freskët dhe cenon besimin e konsumatorëve.

Këto reagime vijnë pas kontrolleve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në një fabrikë përpunuese, ku u morën mostra për analiza laboratorike dhe u konstatuan mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Pas inspektimit, aktiviteti i kompanisë u pezullua përkohësisht.

AUV ka bërë të ditur se kontrollet në sektorin e përpunimit të qumështit do të vazhdojnë dhe se çdo shkelje do të trajtohet me “zero tolerancë”.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqatave të fermerëve kërkojnë që inspektimet të mos kufizohen vetëm në një kompani, por të shtrihen në të gjithë industrinë, duke kërkuar konkurrencë të drejtë dhe transparencë të plotë në treg.

Errët
Ndritshëm