Errët
Ndritshëm

MINT dhe Ministria e Ekonomisë hapin paketa të reja mbështetëse për bizneset

03.07.2026

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Ministria e Ekonomisë kanë prezantuar dy skema të reja grantesh për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe për investime në energji të pastër, me vlerë totale mbi 2 milionë euro.

Sipas ministres në detyrë të MINT-it, Mimoza Kusari-Lila, këto grante synojnë forcimin e inovacionit, përshpejtimin e transformimit digjital dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve vendore.

Skema e parë, në bashkëpunim me Qeverinë e Luksemburgut përmes agjencisë LuxDev, ka një buxhet prej 1.16 milionë eurosh dhe do të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe start-up-et në fusha si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, blockchain dhe automatizimi i proceseve.

Ndërsa skema e dytë, me vlerë 880 mijë euro, është e fokusuar në investime për efiçiencë energjetike, sisteme solare dhe uljen e konsumit të energjisë në ndërmarrje prodhuese.

Aplikimi për këto grante do të bëhet përmes platformës digjitale e-Kosova, ndërsa detajet e thirrjes publike pritet të publikohen nga MINT dhe KIESA.

Me këto dy skema, së bashku me programet e tjera të hapura gjatë muajit qershor, vlera totale e mbështetjes për bizneset kosovare ka arritur në rreth 7.8 milionë euro.

Errët
Ndritshëm